Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se nuk kishte diskutuar në lidhje me shpalljen “non grata” të Sali Berishës me anëtarët e kongresit amerikan, me të cilët u takua këtë pasdite.
“Prioriteti ynë absolut politik është ndarja nga e shkuara, nga korrupsioni endemik që ka shkatërruar jetët e shqiptareve. Detyra ime si kryetar i PD ishte që aspiratat e demokratëve për t’i prirë një ndryshimi themelor përmes politikës. PD dhe unë nuk jemi dhe nuk mund të bëhemi avokat personal të askujt, duke filluar nga unë i pari”, tha Basha, i pyetur nëse kishte diskutuar për çështjen Berisha me ta.
Basha e quajti sajesë pretendimin se nuk ka lejuar deputetët të flasin në mbledhjen e grupit parlamentar, ndërsa theksoi se i gjithë rajoni i Ballkanit është në një situatë të rënduar dhe ka nevojë të kthehet në shinat e demokracisë.
“Kjo situatë është produkt i drejtpërdrejtë i autokratëve të Ballkanit të cilët për hir të pushtetit të tyre kanë shkatërruar bazat e bashkëjetesës demokratike, siç janë zgjedhjet e lira e të ndershme, duke veçuar ato të 25 prillit, ku nëse në raportin e OSBE/ODIHR nuk do të kishte emrin e Shqipërisë, do të mendohej se ishte për Bjellorusinë e Lukashenkos. Fakti është që deri më sot drejtësia nuk ka qenë në gjendje të çojë përpara përgjegjësisë asnjë politikan të nivelit të lartë dhe asnjë bos të krimit të organizuar. Vettingu u politikanëve është një nismë për t’i hequr çdo alibi SPAK-ut”, tha Basha, shkruan A2.