Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka kërkuar Qeverisë të ndalojë hyrjen në territorin e Shqipërisë për turistët rusë, kjo për shkak të luftës në Ukrainë e cila po zhvillohet që nga 24 shkurti i këtij viti.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka marrëveshje të fshehtë turizmi për t’i pranuar vrasësit, duke ngritur pikëpyetje se me urdhër të kujt e bëri këtë gjë.
“I pranoni këtu këta barbarë, po me urdhër të kujt i pranoni? Me urdhër të Vuçiqit apo Lavrovit? Rezoluta duhet të ndalojë çdo turist rus që të shkelë në territorin e Shqipërisë. Ju nga një anë nuk pranoni ta Vuçiqin. Nga ana tjetër flisni për Ukrainën dhe pranoni xhelatët rusë që ju vinë nga Beogradi. Keni ju një marrëveshje të fshehtë turizmi për të pranuar vrasësit“, tha Berisha.
Ai vazhdoi tutje duke pyetur se a mund të pranohen ata që i kanë duart me gjak, që vijnë nga Mariupoli e Buça?
“A mund të pranohen ata që i kanë duart me gjak, që vijnë nga Mariupoli, Buça? Prandaj dhe rezoluta për dënimin e gjenocidit është domosdoshmëri, por ju e keni me zemër të thyer“, deklaroi Berisha në Kuvend.
Deputetët në Kuvendin e Shqipërisë po përpiqen të miratojnë një rezolutë që dënon krimet serbe në Srebrenicë.