Avokati Besnik Berisha, si përfaqësues i Qeverisë në seancën dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese ka thënë se kërkesa e LVV-së që zgjedhja e Qeverisë Hoti ka qenë jokushtetuese, duhet të rrëzohet nga gjykata, shkruan Gazeta Sinjali.
Gjyqtarja Gresa Caka-Nimani ka kërkuar një qëndrim nga Berisha lidhur me pretendimet e LVV-së, se vendi duhet të shkojë në zgjedhje nëse Gjykata e shpall si jokushtetuese zgjedhjen e qeverisë.
Pyetja e saj: “Do të kisha dashur komentet tuaja lidhur me pretendimin e përfaqësuesit të parashtruesit të kërkesës lidhur me efektet e një konstatimi të tillë të Gjykatës. Nëse një vendim i tillë shpallet jokushtetues, Gjykata duhet të konstatojë që shteti duhet të shkojë në zgjedhje, cili është qëndrimi juaj përkitazi me këtë pretendim?
Kurse kjo ishte përgjigja e avokatit Berisha.
“Vendimi i kësaj Gjykate të nderuar kushtëzohet me normat kushtetuese që i nënshtrohet secilit institucion përfshirë edhe vetë Gjykata, siç parashihet me nenin 16.
Meqenëse këta sot lëvizën siç e thashë edhe më herët nga kërkesa për decertifikimin apo certifikimin e tij të kundërligjshëm në ndërprerjen e mandatit për shkak të vendimit të Gjykatës së Apelit, për të cilën qenka vënë në dijeni Kuvendi në maj të vitit 2020 dhe pastaj në fund fare që është vendimi i Gjykatës, respektivisht kërkesa për të konsideruar në papërshtatshmëri kushtetuese zgjedhjen e Qeverisë Hoti, kjo kërkesë e parashtruesit duhet të rrëzohet.
Ne parashtrojmë se kjo Gjykatë e nderuar duhet të konstatojë përshtatshmëri të zgjedhjes së kësaj, edhe nën prezumimet që ju i parashtruat shkëlqesia juaj, znj. Gjyqtare për pyetjet tjera se nëse përbërja e Kuvendit paska qenë 119, atëherë cila është shumica?
Rrjedhimisht i bie që shumica është 60 deputetë, pra në çfarëdo kushti dhe parakushti të parashtruar këtu, sado që parashtruesit e kërkesës po e lëvizin thelbin e saj dhe nuk po e mbështesin në asnjë normë kushtetuese përveç se nuk është dashur, i bie që kjo kërkesë duhet të rrëzohet dhe ajo çfarë kjo Gjykatë e nderuar duhet të veprojë është mbajtja në fuqi të kësaj procedure si kushtetuese, pra konfirmimi si kushtetuese.
Çdo vendim tjetër sipas logjikës së parashtrimit të parashtruesit të kërkesës, i bie që ky proces duhet të kthehet në zgjedhjet e 6 tetorit, respektivisht në vendimin e KQZ, sepse ky vendim bazuar në Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme, në nenin 29, pika q, nuk kërkon as dënim qoftë edhe me një ditë burgim, por kërkon që në 3 vitet e fundit figura e kandidatit të jetë 100% pa barrë penale, pra pa një vendim.
Kategoria kushtetuese që kërkohet me humbjen e mandatit në këtë rast, për të cilin besoj që është objekt i këtij gjykimi dhe i këtij shqyrtimi është humbja e mandatit si rezultat i dënimit të plotfuqishëm, pra ka një dallim të madh në mes të pamundësisë së kandidimit, e normuar dhe sanksionuar me nenin 29 dhe pamundësisë së vazhdimit të mandatit, si një rezultat i një vendimi të Gjykatës së Apelit”, ishte përgjigja e Berishës.