Jo vetëm aktorë, aktivistë, qytetarë e politikanë, por edhe këngëtari zviceran Marco Zappa prej kohësh ka dalë publikisht në mbështetje të kauzës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar të Tiranës i cili u rrënua. Më 16 nëntor të vitit të kaluar, në sallën e Teatrit Kombëtar, Zappa dhuroi një koncert, një formë solidariteti në mbështetje të kauzës.
Këtë mbrëmje, ndryshe nga herët e tjera, artisti zviceran i ka befasuar të gjithë. Marco Zappa ka publikuar një këngë për Teatrin Kombëtar. Përmes këngës, Zappa tregoi dhe njëherë mbështetjen ndaj kësaj kauze të pasuar nga protesta, dhunë të ushtruar nga policia dhe shoqërime të artistëve, aktivistëve e politikanëve në komisariatet e qytetit.
Në tekstin e këngës, Zappa thekson se një natë, grushti i shtetit e shembi Teatrin Kombëtar. Më tej, përmes këngës ai shprehet se zemrat e të gjithëve janë të tronditura ndërsa shton se dhuna e një pushteti të kujton të kaluarën.
“Ju keni shuar një qiri që i jepte dritë qytetit”, thuhet në një pjesë te tekstit të këngës.
Por kush është Marco Zappa?
Në vitin 2017 Marco Zappa (kantautor ndër më të njohurit, krijues dhe elkeltik, përveç se edhe poliinstrumentist i zoti) festoi 50 vjetorin e karrierës.
Kënga e tij e parë (e regjistruar me Teenagers, grupi i tij në atë kohë) doli në vitin 1967.
Që prej asokohe Zappa ka zhvilluar me sukses mijëra koncerte në të gjithë botën në disa lloj rrymash muzikore.
Gjatë verës artisti ka botuar një libër (me mbi 400 faqe) me titull “Era fryn… ende”, një përzgjedhje antologjike e teksteve të tij që prej fillimeve, i dëshiruar dhe nën kujdesin e bashkëshortes Elena.
I shoqëruar me fotografi familjare dhe diskografike, vëllimi hapet me një intervistë të Zeno Gabaglio, i cili përshkruan vitet e para të karrierës artistike të kantautorit, që nga debutimet rrok dhe këngët në anglisht, deri në një kalim në tekstet italiane në vitin 1979. Ky i fundit e shtyu të kërkonte zgjidhje muzikore më të guximshme.
Që prej atëherë Marco Zappa ka qenë gjithmonë i hapur ndaj bashkëpunimeve me muzikantë, instrumente e mënyra për të bërë muzikë ndryshe e të pazakontë.
Parimi ka mbetur i njëjti: të kesh një histori për të treguar, që sugjeron – ndonjëherë imponon – zgjidhje teknike e poetike ndryshe.
Zappa thotë: “Pasi ke zgjhedhur se “kujt” do t’ia tregosh, ke zgjedhur edhe stilin dhe vendet ku do t’i dërgosh tekstet dhe muzikën tënde”. /Gazeta Sinjali/