image BE-ja kërkon anulimin konkurseve qeveritare që u shpallën në fushatë

Kosovë

Reagim/ BE-ja kërkon anulimin konkurseve qeveritare që u shpallën në fushatë

news image

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka kërkuar anulimin e të gjitha konkurseve qeveritare që janë shpallur në kohë fushate në Kosovë.

Duke iu referuar Ligjit për zyrtarët publikë, i cili është miratuar sivjet, BE ka thënë se nuk mund të vazhdohet me këto pozita të shpallura derisa aktet nënligjore nuk miratohen nga qeveria.

“Të gjitha vendet e lira të shërbimit civil të publikuara aktualisht nga institucionet e administratës shtetërore, siç janë ministritë, agjencitë ekzekutive dhe rregullatore, nuk mund të procedojnë përpara se të merren vendime të tilla nga Qeveria. Kjo është e vetmja rrugë e ligjshme dhe e shëndoshë përpara, që nuk i ekspozon institucionet para sfidave ligjore dhe përndryshe do të rrezikojë t’i ekspozojë institucionet dhe partitë politike ndaj akuzave dhe kritikave për politizimin e administratës publike”, thuhet në reagim.

BE-ja i ka bërë thirrje Ministrisë së Administratës Publike që t’i informojë institucionet që vendet e lira të shpallura aktualisht nuk mund të vazhdojnë derisa aktet nënligjore të jenë të miratuara nga Qeveria.

“Ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Administratës Publike t’i informojë institucionet publike që vendet e lira të shpallura aktualisht nga institucionet e Administratës shtetërore nuk mund të vazhdojnë, derisa aktet nënligjore dhe vendimet të jenë miratuar nga Qeveria”, ka thënë më tej BE-ja përmes zyrës së saj në Kosovë.

Në fund të këtij reagimi thuhet se BE-ja dhe Qeveria e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë së bashku, pasi të formohet një qeveri e re pas zgjedhjeve, në mënyrë që të sigurojë zbatimin e duhur të reformës së administratës publike në përputhje me parimet e qeverisjes së mirë.

Që nga muaji shtator rreth 20 konkurse  janë shpallur vetëm nga Ministria e Infrastrukturës në shërbimin civil. Ministria e Mbrojtjes, gjithashtu, ka hapur më shumë se 10 konkurse në shërbimin civil. Shtatori ishte muaji i konkurseve edhe në Ministrinë e Kulturës dhe Sportit. /Gazeta Sinjali/