Mos hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte ekuivalentja diplomatike e Bashkimit Evropian e ofrimit të shtrëngimit të duarve në fillim dhe më pas e shpërfilljes, shkruan BBC.
Në një artikull të Guy Delauney thuhet se në këtë histori “Emmanuel Macron i Francës luajti rolin e kryekundërshtarit”.
“Macron tha ‘jo’ kur të gjithë liderët e tjerë të BE-së ishin në favor të dhënies zyrtare të fillimit të bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, shton ai.
”Me refuzimin e tij, Bashkimi Evropian i ka dërguar një mesazh të zymtë gjithë Ballkanit, jo vetëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe për Serbinë dhe Malin e Zi e për më tepër edhe për Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën. Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker e konsideroi veton franceze një gabim historik duke paralajmëruar se kjo do të kompromentonte seriozisht ndikimin e BE-së në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, thotë BBC.
Sipas Delauney, situata e krijuar është për Rusinë një mundësi e madhe.
“Ekziston frika se disa vende mund të shohin si zgjidhje nënshkrimin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik, të mbizotëruar nga Rusia, pa u shqetësuar shumë për pasojat”, shkruan ai.
“Për sa kohë që Emmanuel Macron do të jetë president i Francës, është e vështirë të thuhet se kur do të fillojë hapja e negociatave me vendet e Ballkanit”, përfundon BBC. /Gazeta Sinjali/