image BBC: Bandat shqiptare të drogës po rekrutojnë migrantë nga Franca për në Britani

Shqipëri

BBC: Bandat shqiptare të drogës po rekrutojnë migrantë nga Franca për në Britani

news image

Bandat shqiptare të drogës po përdorin kampet e migrantëve në veri të Francës si baza rekrutuese, duke ofruar të paguajnë kalimin e atyre që janë të gatshëm të punojnë në industritë e drogës në Britaninë e Madhe, sapo të arrijnë, shkroi BBC-ja të premten.

Zyrtarët policorë dhe të migrimit në të dyja anët e kanalit janë të shqetësuar për rolin në rritje të shqiptarëve në ndërmjetësimin e kalimeve.

BBC-ja ka raportuar se ka parë fshatra afër Tiranës pothuajse të boshatisura, dhe sa shumë të rinj shqiptarë po joshen drejt cakut francez.

Në qytetin francez të Dunkirkut këtë verë dëshmitarët kanë thënë se shqiptarët kanë zënë kampin kryesor të migrantëve aty.

Dhe hotelet e vogla rreth stacionit, tani janë të mbushura me migrantë shqiptarë dhe kanë krijuar vende të posaçme për ta.

Janë disa vende ku ndërmjetësit shqiptarë presin për klientë – duke vepruar si një lidhje kyçe për kalimin me anije të vogla.

“Në Francë, ka njerëz që të presin”, tha një shqiptar, pasi arriti në Britaninë e Madhe me një varkë të vogël këtë verë. “Të gjithë në botë e dinë se ku të drejtohen, nëse doni të shkoni në Angli”.

Nga rruga jashtë stacionit të Dunkirkut, shihet Kevi në dritaren e dhomës së tij në katin e dytë në hotelin “Le Lion d’Or”, teksa pi një cigare. Një ardhje e re nga Shqipëria, 20 vjeç, plot energji për udhëtimin në vazhdim.

Pas vetëm disa ditësh këtu, ai tashmë ka gjetur dikë që të organizojë kalimin e tij dhe pret thirrjen për t’u larguar.

“Moti nuk është i mirë”, tha ai. “Duhet të presim ndoshta edhe dy ditë të tjera”.

Për shtetasit shqiptarë si Kevi, arritja në Francën veriore është e lehtë; ata kanë të drejtë të hyjnë në BE si turistë deri në tre muaj pa vizë.

Shumica mbërrijnë me autobus ose veturë, të nxitur nga reklamat në rrjetet sociale që premtojnë ndihmë nga ndërmjetësit në terren në Bruksel, Paris, Calais ose Dunkirk.

Duke u paraqitur si një emigrant shqiptar, BBC kontaktoi dy kontrabandistë që reklamonin në TikTok.

Të dy u përgjigjën brenda gjysmë ore, me opsione për të paguar në Francë ose Angli, dhe udhëzime për të shkuar në Belgjikë ose Francë, ku një ndërmjetës do të vinte kontakt. Mesazhi i të dyve ishte: “Është e lehtë”.

Një zyrtar i lartë francez ka konfirmuar se shqiptarët aktualisht po luajnë rolin e ndërmjetësve duke lidhur migrantët shqiptarë me bandat irako-kurde të kontrabandës.

Qeveria britanike ka thënë se 12,000 shqiptarë kanë arritur në Britani këtë vit me anije të vogla, kryesisht burra të rinj që udhëtojnë vetëm.

Shqipëria është pajtuar që ta bëjë ripranimin e shpejtë të shtetasve që iu refuzohet e drejta për të qëndruar në Britani, dhe ka dërguar staf për të asistuar policinë kufitare britanike.

Por, kryeministri Edi Rama ka thënë se rrjetet që operojnë në veri të Francës janë të natyrës ndërkombëtare dhe se ka një kufizim në atë se çfarë qeveria e tij mund të bëjë për t’i parandaluar ato.

“Kanali nuk është gjeografikisht dhe politikisht nën përgjegjësinë e qeverisë shqiptare”, ka thënë Rama.

/GazetaSinjali/