Bashkimi Evropian ka propozuar masa të reja sanksionuese ndaj Rusisë, që përfshijnë ndalimin e hyrjes në territorin e BE-së për ushtarët rusë, si dhe kufizime të reja ndaj bankave, kompanive të kriptomonedhave dhe të ardhurave nga nafta e Kremlinit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se për herë të parë propozohet ndalimi i hyrjes në BE për personat që kanë shërbyer në forcat e armatosura ruse që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
“Ne propozojmë për herë të parë të ndalohet hyrja në Bashkimin Evropian për këdo që ka shërbyer në forcat e armatosura ruse që nga fillimi i luftës. Kështu, Evropa mbetet e ndaluar për këdo që ka marrë pjesë në pushtimin e Ukrainës, kaq e thjeshtë është”, ka thënë ajo.
Propozimi është pjesë e paketës së 21-të të sanksioneve kundër Rusisë që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022. Këto masa ende duhet të miratohen njëzëri nga 27 shtetet anëtare të BE-së.
Von der Leyen ka thënë se sanksionet po vazhdojnë të godasin ekonominë ruse dhe të dobësojnë bazën e saj ushtarake.
“Sanksionet tona vazhdojnë të godasin fort dhe thellë. Ato po dobësojnë bazat ekonomike të përpjekjeve luftarake të Rusisë”, ka deklaruar ajo.
Komisioni Evropian po ashtu propozon ruajtjen e kufirit maksimal të çmimit të naftës ruse në 44 dollarë për fuçi deri në janar 2027, si dhe zgjerimin e listës së sanksioneve ndaj 30 anijeve të tjera të ashtuquajtura “flotë në hije”, që ndihmojnë Rusinë të shmangë kufizimet perëndimore.
Në paketë përfshihen gjithashtu sanksione ndaj 20 bankave, kompanive të kriptomonedhave dhe tregtarëve të naftës në vende të treta që ndihmojnë Rusinë të anashkalojë sanksionet, si dhe kufizime të reja në sektorin e kriptomonedhave.
BE-ja synon gjithashtu ndalimin e importit të peshkut rus, si dhe kufizime në tregtinë e metaleve, mineraleve dhe pjesëve të automjeteve me vlerë rreth 60 milionë euro.
Po ashtu, propozohen kufizime të eksportit për metale dhe lidhje metalike të përdorura në industrinë ajrore dhe të mbrojtjes, përfshirë pajisje për dronë dhe sisteme lëshimi.
Zyrtarë të BE-së kanë theksuar se këto masa synojnë të forcojnë presionin ekonomik ndaj Rusisë dhe të kufizojnë aftësinë e saj për të vazhduar luftën në Ukrainë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!