Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, vendet e QUINT-it dhe EULEX-i u kanë kërkuar institucioneve të Kosovës që ta përshpejtojnë miratimin e akteve nënligjore për përdorimin e simboleve dhe flamujve të komuniteteve.
Përmes një letre të datës 17 qershor 2026, drejtuar ministrit në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë theksuar se mungesa e legjislacionit sekondar po krijon paqartësi në zbatimin e kornizës ekzistuese ligjore.
Letra është nënshkruar nga ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Anu Prattipati, si dhe shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.
Dokumenti u është përcjellë edhe drejtorit të Policisë së Kosovës dhe kryetarëve të të gjitha komunave.
Në letër rikujtohet se Kushtetuta dhe ligjet në fuqi garantojnë të drejtën e komuniteteve për të ruajtur dhe shprehur identitetin e tyre, përfshirë edhe përmes përdorimit të flamujve dhe simboleve përfaqësuese.
Sipas nënshkruesve, institucionet e Kosovës kanë përgjegjësi që këtë të drejtë ta trajtojnë në mënyrë të barabartë, proporcionale dhe pa diskriminim.
Megjithatë, përfaqësuesit ndërkombëtarë vlerësojnë se kuadri ligjor mbetet i paplotë, pasi aktet nënligjore të parapara ende nuk janë miratuar. Kjo, sipas tyre, mund të çojë në interpretime të ndryshme nga institucionet dhe në zbatim jo të njëtrajtshëm në praktikë.
BE-ja, QUINT-i dhe EULEX-i kanë kërkuar që miratimi i legjislacionit sekondar të trajtohet si prioritet dhe të zhvillohet në konsultim me komunitetet joshumicë, si dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
Deri në plotësimin e kornizës ligjore, ata kanë kërkuar që çdo çështje që lidhet me përdorimin e flamujve dhe simboleve të komuniteteve të trajtohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!