image Bashkësia Islame e Kosovës deklarohet për luftën në Ukrainë

Kosovë

Bashkësia Islame e Kosovës deklarohet për luftën në Ukrainë

news image

Bashkësia Islame e Kosovës është deklaruar lidhur me luftën në Ukrainë, duke bërë thirrje që kjo situatë të zgjidhet me mjete politike e paqësore.

Ky institucion fetar ka shpërndarë deklaratën e Myftiut Naim Tërnava, ku ai bën thirrje që të shmanget gjakderdhja, shkatërrimet e trazirat, si dhe t’i thuhet fuqishëm “Jo” luftës.

“Pamjet e granatimeve të qyteteve e të vendbanimeve me popullatë civile, radhët e gjata të qytetarëve duke u larguar nga shtëpitë dhe vatrat e tyre, si dhe viktimat e pafajshme në radhët e civilëve, për ne janë të papranueshme, ngase vetëm para dy dekadash, kemi kaluar nëpër një situatë të tillë.

Lutem dhe apeloj tek të gjithë faktorët ndërkombëtarë, që para luftës e gjakderdhjes të zgjedhin paqen, para konfliktit të zgjedhin mirëkuptimin e tolerancën, para vuajtjeve e shkatërrimit të zgjedhin qetësinë e stabilitetin”, ka shkruar Tërnava.

Postimi i plotë:

Me vëmendje e shqetësim kam përcjellë eskalimin e situatës në Ukrainë. Makthin dhe terrorin që po e përjeton populli i Ukrainës nën kërcënimin e makinerisë ushtarake ruse, është ogur i zi që paralajmëron ditë të rënda për njerëzimin, para së gjithash për qytetarët e paarmatosur ukrainas.

Pamjet e granatimeve të qyteteve e të vendbanimeve me popullatë civile, radhët e gjata të qytetarëve duke u larguar nga shtëpitë dhe vatrat e tyre, si dhe viktimat e pafajshme në radhët e civilëve, për ne janë të papranueshme, ngase vetëm para dy dekadash, kemi kaluar nëpër një situatë të tillë.

Lutem dhe apeloj tek të gjithë faktorët ndërkombëtarë, që para luftës e gjakderdhjes të zgjedhin paqen, para konfliktit të zgjedhin mirëkuptimin e tolerancën, para vuajtjeve e shkatërrimit të zgjedhin qetësinë e stabilitetin.

Lusim Zotin që situata e tanishme në Ukrainë të zgjidhet me mjetet politike e paqësore dhe bota e njerëzimi të jenë më të qetë e më të sigurt.

Paqe e qetësi për popullin e Ukrainës, të shmangin gjakderdhjen, shkatërrimet dhe trazirat, t’i themi fuqishëm JO luftës.

Myftiu i Kosovës,

Naim ef. Tërnava.

/GazetaSinjali/