Për kreun e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, zgjedhjet nuk janë çështje datash, por standardesh. Në takimin e zhvilluar në Krujë, Basha i ka dhënë kështu përgjigje deklaratave të bëra nga Lëvizja Socialiste për Integrim, parti që ka dorëzuar kërkesën në KQZ për regjistrim në zgjedhjet lokale të 13 tetorit.
“Beteja për zgjedhje të lira nuk është kauzë partiake, por është betejë e çdo shqiptari. Zgjidhja nuk është “ik ti e te vi unë”, por është beteja jetike për Shqipërinë e sotme dhe të nesërme, Shqipërinë e standardeve europiane”, është shprehur Basha.
Sipas Bashës, “zgjidhja nis me dënimin e politikanëve të kapur në blerje votash dhe në bashkëpunim me krimin e organizuar për pushtetin dhe pasurinë e tyre.”
“Opozita e Bashkuar e nisi këtë betejë me një akt sakrifice që ishte dorëzimi i mandateve, dorëzimi i imuniteteve, i privilegjeve dhe i karrigeve të pushtetit për t’u rreshtuar në krah të qytetarëve. Treguam se rruga që nisëm ishte një rrugë sakrifice për interesin publik. Vendimi që morëm ktheu besimin tek njerëzit, se beteja që kemi nisur nuk ishte një betejë për karrike, siç përpiqej ta paraqiste Edi Rama. U rikthye besimi se opozita e bashkuar nuk është pjesë e teatrit të ndyrë politik, ku një grusht njerëzish kanë kapur burimet e shtetit, buxhetin e shtetit, taksat e shtetit, pasuritë e shtetit, në kurriz të të gjitha shqiptarëve të tjerë”, ka thënë Basha.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari, i pyetur sot për një përçarje të mundshme me PD-në, tha se “data 13 tetor është ditë e ligjshme zgjedhjesh për pushtetin lokal dhe është e respektueshme nga të gjithë.”\Sinjali\