Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, duke folur për shembjen e Teatrit Kombëtar, ka deklaruar se gjithçka ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në mënyrën më të pabesë, ndërkohë që, sipas tij, policët duhet të ishin në shërbim të qytetarëve.
Basha thotë se çdo shqiptar e kupton nga kjo ngjarje se me Edi Ramën paligjshmëria, dhuna dhe pabesia do të vazhdojnë.
Sipas tij, ky është një akt barbar dhe se opozita do të marrë vendime politike ditën e sotme.
”Gjëja e parë që bënë, rrëzuan kamerat medias, dhunuan gra, artistë, të rinj, të pafajshëm, dhunuan drejtues të opozitës, për mëkatin e vetëm sepse shkuan në ndihmë të grave që po dhunoheshin. Flamur Noka ja ku është, mund t’ia merrni dëshminë. Vetëm sepse shkoi të ndihmonte dy gra që po trajtoheshin në mënyrë shtatzarake nga policia, përdorën ndaj tij dhunë. Tani që flasim kryetari i Forumit Rinor ndodhet i shoqëruar në komisariatin nr 6 edhe ai i dhunuar. Dhunë barbare, paligjshmëri dhe siç shikoni këtu kanë sjellë po aq, mos më shumë polici se gjatë protestave të opozitës. Gjithçka ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në mënyrën më të pabesë, ndërkohë që këta policë duhet të ishin në shërbim të qytetarëve.”
Ai tregoi edhe për hapat që do të ndërmarrë opozita pas shembjes së Teatrit Kombëtar, shkruan oraneës.
”Opozita do të mblidhet sot, koalicioni opozitar do të mblidhet sot dhe do të ndërmarrë veprimet politike. Ajo që çdo shqiptar e kupton sot nga kjo ngjarje është se me Edi Ramën paligjshmëria, dhuna dhe pabesia do të vazhdojnë. Nuk do të ketë fund dhuna, paligjshmëria edhe padrejtësia pa marrë fund kjo qeveri dhe pa u larguar ky njeri. Nuk ka rrugë tjetër”.
”Hapa politikë do të hedhim. Ne do t’u bëjmë thirrje qytetarëve që të na ndjekin në rrugë politike”, ka thënë Basha./GazetaSinjali/