Deputeti Dimal Basha ka thënë se është e pakuptueshme se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ndihmojnë Ukrainën kundër, ndërsa lejojnë që KFOR-i të sfidohet nga “Putini i vogël”.
Basha thotë se SHBA-ja po e ndihmon Presidentin ukrainas, Volodymir Zelensky dhe forcat e tij kundër Rusisë, ndërsa lejon që “Putini i vogël”, siç i referohet ai Presidentit serb, Aleksandër Vuciq, ta sfidojë KFOR-in.
Në veri prej 10 dhjetorit janë vendosur barrikada, të cilat politikisht mbrohen nga Vuciq dhe nga Lista Serbe. Basha thotë se është ofendim për KFOR-in që të mos të lejohet ta kryejë detyrën e tij si mision.
Shkrimi i plotë dhe pa ndërhyrje i Bashës:
Në Ukrainë, Amerika po ndihmon forcat e Zelenskit me luftu ushtrinë kriminale të Putinit!
N’anën tjetër, në Kosovë lejojnë që Putini i vogël me një grusht kriminelësh m’i sfidu forcat e NATO-s me barrikada.
Është e pakuptueshme me luftu Putinin e madh, e me ledhatu t’voglin. Por është edhe ofendim për KFOR-in që disa bandita mos me lanë me ushtru detyrën e tyre. KFOR-i me mandat e ka me siguru lëvizjen e lirë për qytetarë, e në këtë rast më së shumti po e vuajnë vet qytetarët serb në veri!