Barcelona është ende në kërkim të përforcimeve në mbrojtje dhe pas transferimit të fundit të Jules Kounde, blaugranasit e dëshirojnë edhe një tjetër qendërmbrojtës.
Katalanasit i dëshirojnë shërbimet e qendërmbrojtësit të Athletic Bilbaos, Íñigo Martínez, i cili përfundon kontratën me klubin bask më 30 qershor 2023 dhe ende nuk e ka rinovuar.
Sipas gazetës ‘Sport’, drejtori sportiv i Barçës, Mateu Alemany, ka kontaktuar tashmë me drejtorin e përgjithshëm të Athletic, Jon Berasategi dhe ka paraqitur një ofertë të parë për qendërmbrojtësin e cila është 15 milionë euro, një propozim që duket i vështirë për t’u pranuar nga klubi bask.
Siç thekson gazeta spanjolle, Íñigo Martínez, nga ana e tij, është shumë i emocionuar për interesin e Barçës dhe do të ushtrojë presion mbi Athletic për ta lënë atë të shkojë.
Ai nuk ka ndërmend të rinovojë kontratën e tij dhe mund të nënshkruajë për Barcën nga 1 janari i vitit të ardhshëm, si agjent i lirë.