Skuadra e Napolit është duke bërë presion të vazhdueshëm tek UEFA në mënyrë që ndeshja e Ligës së Kampioneve mes Barcelonës dhe skuadrës italiane të mos zhvillohet në “Camp Nou”, por në një fushë neutrale.
Rritja e rasteve me koronavirus në Katalonjë i ka shqetësuar shumë “Axurrët”, që po këmbëngulin për të luajtur në Portugali. Në Barcelonë thonë se Napoli kërkon ta përdorë situatën në mënyrë që ndeshja të luhet në një fushë neutrale dhe në këtë mënyrë katalanasit do të humbasin forcën që të jep aspekti fushë, edhe pse kjo ndeshje do të luhet pa prezencën e tifozëve.
Në Portugali janë të gatshëm që të mirëpresin ndeshjet që në këtë fazë dhe jo vetëm në çerekfinalet e Championsit. Nisur nga kjo situatë dhe nga kërkesat e vazhdueshme të Napolit, UEFA ka kërkuar informacione të detajuara nga klubi i Barcelonës dhe nga institucionet shtetërore për të kuptuar mundësinë reale të zhvillimit të kësaj ndeshjeje në “Camp Nou”. Qeveria vendore e Katalonjës është përgjigjur me optimizëm dhe ka sqaruar përmes një letre se ekzistojnë të gjitha kushtet për të zhvilluar një ndeshje futbolli, sepse pavarësisht rritjes së rasteve, vendi nuk ka kaluar në zonën e kuqe të alarmit. Edhe UEFA e mirëkupton këtë përgjigje dhe shpreson që gjërat të vazhdojnë të jenë pozitive deri në fillimin e gushtit.
Nga ana tjetër, klubi i Barcelonës ndihet shumë i rebeluar dhe kërkon me ngulm që ta luajë ndeshjen në shtëpi sepse ndihet i penalizuar për faktin që do ta luajë këtë sfidë pa prezencën e tifozëve, ndërkohë që në Itali Napoli kishte mbështetjen e tifozëve të tij dhe mori një barazim 1-1 kundër katalanasve.
Barcelona kërkon që të shfrytëzojë historinë dhe statistikat që ka arritur në të shkuarën në stadiumin e saj. “Camp Nou” është një bunker për blaugranët. Në 35 ndeshjet e fundit skuadra e Barcelonës nuk ka humbur asnjë dhe ka dalë triumfuese në 33 prej tyre. Stadiumi është një pikë e fortë për Lionel Mesin me shokë, të cilët kërkojnë që të eliminojnë Napolin dhe të presin biletat për në Portugali, aty ku do të luhet faza finale e këtij kompeticioni. Rezultatet e viteve të fundit japin shpresë, sepse për të gjetur një humbje të Barcelonës në “Camp Nou” duhet të rikthehemi pas 7 vite. /Sinjali Sportiv