Skuadra e Barcelonës e ka propozuar 18 dhjetorin si datën e duhur për t’u zhvilluar “El Clasico”, pasi ndeshja e 26 tetorit është shtyrë. Këtë e ka konfirmuar edhe skuadra e Real Madridit përmes një deklarate, duke e përmendur po të njëjtën datë.
Barcelona nuk do ta presë Madridin në “Camp Nou” më 26 tetor për shkak të frikës së sigurisë, pasi që ka krizë politike në Kataluni.
“Të enjten Klubi informoi Komitetin e Konkurrencës së Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) për vendimin e tyre për t’i thënë jo ndeshjes që u propozua të zhvillohet në stadiumin Santiago Bernabeu, siç propozohet nga Liga e Futbollit Spanjoll (LFP)”, thuhet në deklaratë.
“Dëshira e Klubit ishte që El Clasico të zhvillohet në Camp Nou me 26 tetor, data dhe ora e dakorduar më parë dhe Komiteti u informua me shkrim për këtë. Klubi ka besimin maksimal në qëndrimin qytetar dhe paqësor të anëtarëve dhe tifozëve të klubit që gjithmonë shprehen në mënyrë shembullore në Camp Nou”, bëhet e ditur në faqen zyrtare të Barcelonës.
Pas Barcelonës, deklaratë publikoi edhe klubi i Real Madridit, i cili konfirmoi se 18 dhjetori ishte data e re kur do të zhvillohet ndeshja.
“Pas rezolutës së Komitetit të Konkurrencës të Federatës Spanjolle të Futbollit për të shtyrë ndeshjen që do të luhej të shtunën më 26 tetor midis FC Barcelona dhe Real Madrid CF, dhe që përcakton që klubet të bien dakord për një datë të re për ndeshjen, Real Madrid njofton se data e propozuar nga të dy klubet është 18 dhjetori”, thuhet në njoftimin e Real Madridit./Gazeta Sinjali/