Në zgjedhjet e fundit lokale PDK-ja nuk është e vetmja fituese, pasi që votat e diasporës si fitore të zgjedhjeve e përcaktoi edhe LDK-në. Kjo për arsye se me vota të diasporës, LDK-ja ia mori Dragashin PDK-së, shkruan Gazeta Sinjali.
Memli Krasniqi në ditën e balotazhit u lajmërua nga Prizreni ku partinë e tij e shpalli fituese ndër partitë shqiptare.
Mitrovica dhe Prizreni, të cilin elektorati i partisë e quan Jerusalemi i PDK-së, janë dy nga qytetet e mëdha të cilat PDK-ja i riktheu.
Ndërkaq Ferizajn e rimori Agim Aliu pa balotazh në rundin e parë.
Pas numërimit të votave nga KQZ, PDK-ja fitoi nëntë komuna, por jo për gjatë. Pas një gare të ngushtë në Dragash, PDK-ja fitoi me vetëm 47 vota diferencë ndaj LDK-së, ku ky rezultat u përmbys pas numërimit të votave të diasporës dhe rrjedhimisht LDK-ja doli t’i ketë fituar 8 komuna, po aq sa edhe PDK-ja.
Pas një pauze 4-vjeçare, PDK-ja e riktheu edhe Skenderajn me Fadil Nurën të përkrahur nga Sami Lushtaku. Kjo fitore në Drenicë u finalizua në rundin e parë të zgjedhjeve.
Në total, PDK-ja do të qeverisë në tetë komuna: Mitrovicën, Prizrenin, Ferizajn, Skenderajn, Vushtrrinë, Drenasin, Kaçanikun dhe Hanin e Elezit.
LDK-ja në këto zgjedhje krenohet me rikthimin e kryeqytetit pas 8 vjetëve administrim nga Shpend Ahmeti. Ku pa balotazh LDK-ja fitoi në Lipjan dhe Pejë, ndërsa në balotazh pos Prishtinës, mori Junikun, Istogun, Fushë-Kosovën, Vitinë dhe Dragashin, duke rrumbullaksuar tetë komuna.
AAK-ja doli e treta nga partitë shqiptare duke marrë 5 komuna gjithsej. Pa balotazh e fitoi Suharekën dhe Deçanin, ndërsa sonte fitoi në Klinë, Rahovec dhe Gjakovë.
Partia e pushtetit që në zgjedhjet e fundit qendrore doli e para me mbi 50% të votave, arriti të marrë katër komuna në total, në mesin e tyre edhe një qytet të madh.
VV-ja e Kurtit fitoi në Gjilan, Kamenicë, Shtime dhe Podujevë.
Sipas renditjes, PDK-ja dhe LDK-ja fituan më së shumti komuna, nga tetë. Pas tyre vjen AAK-ja që fitoi pesë komuna, ndërsa VV-ja vetëm katër. /GazetaSinjali/