Teksa qyteti perëndimor i Ukrainës, Lviv, po bëhet cak i sulmeve me raketa nga Rusia, banorët lokalë po tentojnë të mbrojnë thesaret e artit publik të qytetit.
Ditëve të fundit, banorët e Lvivit kanë mbështjellë artin në qendrën historike të qytetit, në përpjekje për t’i mbrojtur nga sulmet me raketa, të cilat druajnë se mund të godasin qytetin perëndimor të Ukrainës.
Kompanitë e ndërtimit u kanë dhënë falas skele dhe pajisje të tjera vullnetarëve që janë përfshirë në këto përpjekje për të mbrojtur artin e qytetit. Por, sipas Andriy Salyuk, që drejton degën në Lviv të Shoqërisë për Mbrojtjen e Monumenteve të Ukrainës, ka mungesë të çarçafëve metalikë.
Salyuk thotë se ekspertët nga Kroacia i kanë këshilluar në përpjekjet për të mbrojtur monumentet e Lvivit. Kroatët kanë fituar përvojë të madhe në mbrojtje të artit gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
Një piktor lokal, që është përfshirë në këto përpjekje për mbrojtjen e artit historik të Lvivit, i tha Radios Evropa e Lirë se “nëse do të ketë një sulm direkt me raketa, asgjë nuk do të ndihmojë”.
Por, mbështjellje të tilla, ku përfshihen pëlhura që mbrojnë nga zjarri, janë një përpjekje për mbrojtjen e artit të Lvivit, nëse ato goditen nga copëza të granatave apo nga zjarri.
Barriera të tilla synojnë të mbrojnë monumentet nga valët goditëse, të cilat mund të rrëzojnë statujat pa u goditur drejtpërdrejt nga ndonjë granatë apo edhe nga mbetjet e ndonjë shpërthimi.
Ekspertët polakë po ashtu kanë kontribuar në përpjekjet e banorëve të Lvivit për të mbrojtur trashëgimin. Polonia ka dërguar materiale për të mbuluar xhamat e dritareve të disa objekteve, por edhe materiale për të mbrojtur artin fetar të këtij qyteti.
Lilia Onyschenko, kryetarja e Departamentit për Mbrojtjen e Mjedisit Historik të Lvivit, tha se qyteti është shtëpi e monumenteve “që paraqesin arkitekturën e disa periudhave, por edhe të kombësive të ndryshme që historikisht kanë jetuar në Lviv, kryesisht armenët, gjermanët, polakët, hebrenjtë dhe ukrainasit”.
“Ne po e mbrojmë artin jo vetëm për ukrainasit, por po ashtu edhe për trashëgimin botërore”, tha Onyschenko.
Teksa qyteti perëndimor i Ukrainës, Lviv, po bëhet cak i sulmeve me raketa nga Rusia, banorët lokalë po tentojnë të mbrojnë thesaret e artit publik të qytetit.