Banorët e Lagjes “Bajram Curri” në qytetin e Prizrenit po vazhdojnë të përballen me reduktime të gjata të ujit të pijës, raporton Gazeta Sinjali.
Pasi që gjendja nuk ndryshoi pas disa protestave paqësore, tani ata po paralajmërojnë se do të mbajnë protesta të dhunshme.
“A jeni për protesta jopaqësore ndaj kompanisë ‘KRU Hidroregjioni Jugor SHA’ për reduktimet e tepërta të ujit. Çfarëdo që vendosni ju, ne jemi të gatshëm për të kundërshtuar këtë reduktim kaq të gjatë ndaj banorëve të lagjes. Qoftë edhe ndonjë peticion për të kërkuar shkarkim të këtyre zyrtarëve jopërgjegjës”, thuhet në njoftimin për protestë.
Ata ankohen se kjo ndërmarrje nuk e ka mbajtur premtimin, pas dakordimit që reduktimet të jenë nga ora 17:00 deri në orën 22:00.
“Përpos që ndalet më heret se ora 17:00, furnizimi fillon në mëngjes. Mbi 13 orë reduktim, ka thënë për Gazetën Sinjali një nga banorët e kësaj lagjeje./GazetaSinjali/