Ballkani ka triumfuar në duelin ndaj Prishtinës kurse Drita është mposhtur nga Llapi.
“Portokallinjtë” e Suharekës kanë triumfuar me rezultat të pastër 2-0 ndaj Prishtinës, duke marshuar kështu drejt titullit kampion.
Ndeshja përfundoi që në pjesën e parë, me të dy golat të cilat u realizuan në 45 minutëshin e parë, gjersa në pjesën e dytë rrjetat mbetën të paprekura.
Epërsinë e suharekasve e dha Blendi Baftiu me një gol të realizuar në minutën e 35-të, teksa epërsia u dyfishua nga Ermal Krasniqi në minutën e 41-të.
Suharekasit me këtë fitore vazhdojnë lidershipin me 8+ pikë nga përcjellësi i dytë me 63 pikë të mbledhura, me shtatë ndeshje të mbetura deri në fund të kampionatit.
Në duelin tjetër, Llapi ka triumfuar ndaj Dritës në “Zahir Pajaziti”.
Llapjanët kanë fituar me rezultat minimal 1-0.
Golin e vetëm për vendasit e realizoi mbrojtësi i Dritës, Balde i cili shënoi në portën e tij.
Drita me këtë humbje shkëputet edhe më tepër nga gara e titullit, duke qëndruar e treta me 52 pikë, gjersa Llapi ngritet tani në kuotën e 47 pikëve.