image "Ballafaqim ndaj Kurtit", PDK njofton zyrtarisht kërkimin e seancës së veçantë të hënën për dialogun

Politikë

“Ballafaqim ndaj Kurtit”, PDK njofton zyrtarisht kërkimin e seancës së veçantë të hënën për dialogun

news image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka njoftuar se partia e tij ka kërkuar zyrtarisht një seancë plenare të veçantë në Kuvend, me datën 13 shkurt.

Kjo kërkesë e kësaj seance vjen pasi PDK kërkon përballje me kryeministrin Kurti, që sipas Krasniqit, “të debatojnë hapur për të gjitha temat e çështjet rreth zhvillimeve të ndërlidhura me dialogun Kosovë-Serbi”.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kryeministri Kurti nuk mund të fshihet nga përgjegjësia.

Postimi i plotë:

“Qëllimet e shtetit tonë në dialog me Serbinë janë të njohura. Angazhimi për arritjen e këtyre qëllimeve është përgjegjësi nga e cila nuk mund të shmanget askush. Ushtrimi i kësaj përgjegjësie nuk mund të bëhet në mënyrë të fshehtë, as nëpër restorante, e as me postime në twitter, por përmes transparencës së plotë përballë qytetarëve e përfaqësuesve të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

“Prandaj, si Grup Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, sot kemi kërkuar edhe zyrtarisht një seancë plenare të veçantë, në mënyrë që me kryeministrin Kurti të debatojmë hapur për të gjitha temat e çështjet rreth zhvillimeve të ndërlidhura me dialogun Kosovë-Serbi. Me iniciativën tonë, të hënën, më 13 shkurt 2023, këtë debat do ta shtrojmë në Kuvend, aty ku edhe e ka vendin që të shtrohet e diskutohet detajisht kjo çështje”, ka shkruar Krasniqi.

/GazetaSinjali/