Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, njëherit sekretari organizativ i këtij subjekti politik, Bajrush Xhemajli, ka thënë se PDK e ka gati kandidatin për president të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai ka thënë se emrin e tij do ta bëjnë publik në kohën kur do të konkretizohet gara për këtë pozitë.
“Situata është e rëndë sidomos pas shkuarjes në Hagë të disa prej drejtueseve. Është krijuar një boshllëk sidmos me presidentin dhe kjo ka krijuar një brishtësi në politikën kosovare. Ne jemi që të zgjidhet një president. Duhen 80 vota për të zgjedhur kryetarin. E kundërta e kësaj është me shku në zgjedhje”.
Sipas tij, është e shëndetshme që presidenti t’i takojë këtij subjekti pasi që Hashim Thaçi ishte pjesë e partisë së tyre.
“Ne do ta bëjmë të ditur kandidatin kur të na drejtohet dikush. Ramush Haradinaj ka paraqitur një kandidaturë por nuk e di në cilën mënyrë me e përkrah. Thaçi ka qenë prej partisë sonë. Do të ishte shumë e shëndetshme për skenën politike me thënë e keni pasur presidentin mbajeni postin”, ka thënë Bajrush Xhemajli për ABC, përcjell Gazeta Sinjali.
Sipas Xhemajlit, kandidati i tyre për president është njeri me kredibilitet dhe që i plotëson kriteret për këtë pozitë.
“Ne e kemi një emër nga partia jonë por për atë çështje po themi se duhet të ulemi dhe të shikojmë. Ne e kemi si ofertë dhe kështu do të shikojmë si do të rrjedhin ngjarjet. Kandidati jonë është nga radhët e PDK-së. Është njeri me kredibilitet dhe mendoj se i plotëson ato që duhet të plotësojë një president. Duhet që partitë të komunikojnë. Emrin nuk e bëjmë publik se partia nuk e bën të ditur”, shtoi Xhemajli./Gazeta Sinjali/