Kryetari i Komunës së Mitrovicës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka reaguar pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me dekretin e presidentit të vendit, Hashim Thaçi për caktimin e Avdullah Hotit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, si mandatar për formimin e qeverisë së re.
Bahtiri përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se është i zhgënjyer nga ky vendim i Kushtetueses, madje e ka quajtur skandaloz, të porositur dhe të dëmshëm për demokracinë e vendit.
“Unë nuk kam dashur të deklarohem deri në publikimin e plotë të vendimit nga Gjykata Kushtetuese për dekretin e presidentit, ku sot u zhgënjeva edhe më shumë e më keq, se sa me rastin e publikimit të vendimit fillestar. Ky vendim mendoj që është skandaloz, i porositur, i dëmshëm për demokracinë dhe do të sjellë pasoja edhe në të ardhmen, ku do të kemi problem si shtet për të ndërtuar institucione të qëndrueshme dhe me legjitimitet që buron nga vullneti i qytetarëve”, ka shkruar ndër të tjera ai.
Më tej, i pari i Mitrovicës ka thënë se si pasojë e këtij vendimi, edhe në të ardhmen do t’iu krijohet mundësi pazarxhinjve dhe humbësve për ta krijuar qeverinë pa fituesin e përcaktuar nga populli.
Prandaj, thotë se vendi duhet të shkoj në zgjedhje, sepse sipas tij, kjo është rruga më e drejt dhe më demokratike./Gazeta Sinjali/