image Baerbock: Serbia nuk mund të hyjë në BE pa e njohur Kosovën

Politikë

Baerbock: Serbia nuk mund të hyjë në BE pa e njohur Kosovën

news image

Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, theksoi se Serbia nuk mund të hyjë në BE pa e njohur Kosovën, raporton DW.

“Si qeveri gjermane, ne kemi një qëndrim shumë, shumë të qartë për njohjen”, tha Baerbock. Ajo shtoi se Gjermania po punon në mënyrë aktive për anëtarësimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe kjo nënkupton njohjen reciproke.

“Fuqia e Bashkimit Evropian është se edhe nëse keni mendime të ndryshme në fusha të ndryshme të politikave, duhet ta mbrojmë njëri-tjetrin në rast nevoje. Ajo që kemi në nenin 5 të Traktatit të NATO-s është e sanksionuar edhe në traktatin evropian, angazhimi reciprok”.

Baerbock e tha këtë në konferencën e përbashkët me homologen e saj nga Kosova, Donika Gërvalla-Schwarz, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetareje lidhur me “disa propozime që qarkullojnë që Serbia ta lejojë Kosovën të hyjë në organizata ndërkombëtare, si në OKB, dhe si shpërblim të përfitojë një anëtarësim më të përshpejtuar në BE”, duke nënkuptuar kështu propozimin gjermano-francez  për të cilin pati folur presidenti serb Vuçiq fundjavën e kaluar.

Gërvalla nga ana e saj tha se lajme të tilla, edhe ajo si ministre, i ka mësuar nga mediat lokale dhe kujtoi se Rusia ushtron ndikimin kryesor në rajon nëpërmjet lajmeve të rreme në media.

Por ajo shtoi se “ka vazhdimisht nisma shumë interesante që hidhen në diskutim nga partnerët tanë” dhe sqaroi edhe një herë qëndrimin e Kosovës. “Normalizimi në dialogun me Serbinë mund të kulmojë vetëm me njohjen reciproke”.

Minsitrja e Jashtme e Gjermanisë e quajti liberalizimin e vizave për Kosovën si “prioritetin më të lartë”.

“Ne kemi kohë që po flasim për këtë. Që nga viti 2018, komisioni tashmë i ka konfirmuar Kosovës se janë plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave. Javën e kaluar ai konfirmoi përparim të mëtejshëm në fushën e sundimit të ligjit. Dhe tani ka ardhur momenti që jo vetëm të flasim. Tashmë nevojitet liberalizimi i vizave, dhe na takon neve si shtete të BE-së që ta realizojmë”.

Duke folur për takimin e së enjtes të ministrave të Brendshëm të BE-së në Bruksel, ajo tha se Gjermania ka bërë fushatë që kjo temë të kthehet në rend të ditës. “Dhe mund të premtoj se do të angazhohemi dhe që të sqarojmë të gjitha pyetjet dhe dyshimet që mund të kenë partnerët tanë në Francë, dhe që të mos ketë vonesa në zbatim”.

Dy politikanet folën edhe për Procesin e Berlinit, në kuadër të të cilit pritet të ketë një konferencë të ministrave të Jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, javën e ardhshme në Berlin. Po ashtu ato theksuan marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe, të krijuara edhe për shkak të mërgatës së madhe kosovare që jeton në Gjermani.

/GazetaSinjali/