image Babai flet nga burgu: E lusim familjen Demiri të mos marrë hak, djemtë e mi shpejt dorëzohen në Polici

Siguri

Babai flet nga burgu: E lusim familjen Demiri të mos marrë hak, djemtë e mi shpejt dorëzohen në Polici

news image

I dënuari në rastin “Bllaca 2”, Shaban Syla nga Burgu i Dubravës ka folur rreth konfliktit tragjik që ndodhi dje në fshatin Nekoc të Drenasit, si pasojë e të cilit një person ka mbetur i vrarë. I dyshuari kryesor për këtë rast po besohet të jetë djali i Shabanit, Leutrimi. Ky i fundit bashkë me disa persona të tjerë gjenden në arrati. Por Shban Syla ka dhënë garanci se djemtë e tij që ishin përfshirë në konflikt do t’i dorëzohen shpejt Policisë. Nga burgu, ai ka folur edhe rreth historisë së konfliktit me familjen Demiri, të cilës dje dyshohet se iu vra një familjar. Ndërsa nga familja Demiri ku mbeti i vrarë Qamil Demiri (rreth 50-vjeç) nuk kanë dashur të deklarohen për media.

Shaban Syla, i dënuar për tentim vrasje në vitin 2010, nga Burgu i Dubravës ka treguar se çfarë di për gjithë këtë ngjarje. Ai ka shpjeguar se edhe më herët kishin pasur konflikt me familjen Demiri. Kjo sipas tij, kishte ndodhur para 8 viteve.

“Unë jam prindi i djemve Syla, i Leutrim Sylës. Unë, Shaban Syla që gjendem në burg. Ne jemi të shokuar. Nuk e di pse familja jonë po atakohet në këtë mënyrë. Sa i përket rastit të djeshëm, djemtë e mi para 8 viteve kanë pasur një mosmarrëveshje në një stadion futbolli në Kishnarek. Rasti është në Polici”, ka thënë Syla.

Për ngjarjen e djeshme ku mbeti i vrarë një person, Syla thotë se nga familja Demiri të shtunën familjarëve të tij ia kishin zënë pritën.

“Dje rreth orës 19:00 ka ndodhur një aksident në mes të Ardit Sylës, të ndjerit dhe babait të tij. Ardit Syla është djali i vëllait tim, diku rreth 16 vjeçar. Është plagosur me skalper në shpinë. Kurse Ardian Syla më duket se është goditur me çekan dhe shufra hekuri. Si ka arritur në vendin e ngjarjes Leutrim Syla, unë nuk e di”, ka thënë ai për Express.

Tutje, Syla tregon se ka biseduar me djalin e tij, Leutrimin. Thotë se ai i ka thënë atij se nuk kishte dashur që ta vrasë anëtarin e familjes Demiri.

“Kam biseduar personalisht me Leutrim Sylën dhe ai m’i ka thënë këto fjalë. “Unë nuk kam dashur që ta vras, as nuk e kisha vra kurrë. Më përpara do ta kisha vra vëllain tim se sa atë. Por kam shti në ajër dhe në tokë. E kam lutë të mos ndodhë kjo, por ai duke ia hedhur kokën vëllait e kam gju jo për ta goditur. Si është goditur nuk e di. Ka shtënë dikush me armë. Të gjitha incizimet janë aty. Ne i shprehim nga burgu ngushëllimet më të sinqerta familjes Demiri. Më leht e kam pasë që t’i varrosë dy djemtë e mi sesa djalin e tyre”, thotë Syla.

Tutje ai ka garantuar se djemtë e tij shumë shpejt do të dorëzohen në Polici.

“Djemtë e mi për pak orë do të vetdorëzohen në stacionin e Policisë. Leutrim Syla ka pasë armë. Ai atë armë e ka mbajtë për ta mbrojtur familjen pas sulmit me maska nga njerëz të armatosur, e që besojmë që janë djemtë e Gani Gecit”, thotë Syla.

Megjithëkëtë, ndonëse nuk ka qenë në vendin e ngjarjes, ai vazhdon të insistojë se familja Demiri ia kishin zënë pritën djemve të tij, teksa thotë se nesër do të kërkojnë besë nga ta.

“E gjithë ngjarja sipas djemve tanë ka nisur kur ia kanë zënë pritën për ta nxjerrë hakun e para 8 vitesh.  Nuk kemi lypë besë. Sot janë gjakrat e nxehta. Unë nesër ju kam thënë njerëzve që të shkojnë dhe të lypin besë. Me sinqeritetin më të plotë unë them se djemtë do të dorëzohen. I lus familjen Demiri që të ndalen, të ulen gjakrat. Le ta thotë fjalën e saj drejtësia”, thotë i burgosuri Shaban Syla.

E nga familja Demiri nuk kanë dashur që të prononcohen për rastin duke thënë se ua kanë lënë organeve të drejtësisë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /Gazeta Sinjali