Avokati i Popullit i është drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Pagave.
Në një postim në faqen zyrtare në Facebook, është bërë e ditur se Ligji për Pagat është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që Avokati i Popullit ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme ndaj zbatimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik deri në një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese
“Avokati i Popullit, në pajtim me autorizimet e tij kushtetuese dhe ligjore, e ka dërguar sot në Gjykatën Kushtetuese Ligjin nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.
Në përgjithësi, Avokati i Popullit konsideron se Ligji për Pagat në Sektorin Publik dhe Shtojca një (1) e këtij ligji nuk kanë arritur ta bartnin frymën kushtetuese në kuptimin e ndarjes së pushteteve, të barazisë para ligjit dhe as garantimin e së drejtës pronësore. Për më shumë, Avokati i Popullit konsideron se ky ligj nuk është në pajtim me parimet e sundimit të ligjit, për shkak të mangësive në kuptimin e qartësisë, saktësisë dhe parashikueshmërisë së tij” thuhet në postim./Gazeta Sinjali/