Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka reaguar menjëherë pas raportimit të djeshëm të Gazetës Sinjali për monopolin e taksive në Graçanicë, duke nisur një hetim paraprak për këtë çështje.
Kompanisë “Shoferi im”, me pronar shqiptar, i ishte dhënë leja për qarkullim në këtë komunë, por pas tre muajve, asaj i është revokuar leja nga Komuna e Graçanicës, duke ia lënë monopolin total kompanisë serbe “Maxi Taxi”.
Kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi i ka thënë Gazetës Sinjali se Drejtori i Hetimeve në Autoritetin e Konkurrencës tashmë e ka caktuar grupin e punës që do të merret me këtë problem.
“Sot Drejtori i Hetimeve e ka caktuar grupin e punës. Po besoj që në ditët në vijim do t’i viztojnë akterët”, ka thënë Prestreshi.
Menaxheri i kompanisë shqiptare, Bujar Bajqinca, po pretendon se ka pasur shkelje të mëdha në revokimin e lejes së punës për kompaninë e tij. Ai po pretendon se kjo gjë është bërë vetëm pas ankesës së kompanisë serbe “Maxi Taxi”, duke u krijuar monopol për këtë kompani.
“Më 22 maj më është lëshuar leja nga Komuna e Graçanicës, por më 22 gusht është ankuar kompania e vetme që ka leje të punës për taksi në Graçanicë dhe më 29 gusht na është revokuar leja e punës”, ka deklaruar ai.
Ai thotë se nuk do ta respektojë vendimin e Komunës së Graçanicës për revokimin e lejes së punës, pasi sipas tij vendimi nuk posedon vulën e Komunës. /Gazeta Sinjali/