image Austria nuk po i njeh vulat dhe patentë shoferët e Republikës së Kosovës

Kosovë

Diplomaci/ Austria nuk po i njeh vulat dhe patentë shoferët e Republikës së Kosovës

news image

Shteti i Austrisë nuk po i njeh vulat apostile e as patentë shoferët e lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës, anipse ky shtet e ka njohur pavarësinë e Kosovës, qysh 11 ditë pas shpalljes së saj, raporton Gazeta Sinjali.           

Një fotografi e cila është shkrepur në ambientet e Fakultetit Juridik në Universitetin e Vjenës, thotë se “Vulat apostile nga shtetet e mëposhtme nuk janë të pranuara në Austri”, në mesin e këtyre shteteve është edhe Kosova.

Fotografi e shkrepur në Fakultetin Juridik në Universitetin e Vjenës

Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në e-mail të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri për të kuptuar nëse kjo ambasadë ka informacion se pse ky shtet nuk po i njeh vulat e Kosovës.

Për njohjen e dokumenteve të institucioneve arsimore të Kosovës nga shteti i Austrisë, nga kjo ambasadë thanë se presin nga Ministria e Arsimit unifikim të “vulës katrore”.

“Sa i përket çështjes së Apostiles, ju informojmë që edhepse Republika e Kosovës nga viti 2016  është anëtare e kësaj Organizate, Marrëveshjet për pranimin e dokumenteve bëhen në mënyrë bilaterale. Në këtë kontekst pas disa konsultimeve, presim nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, të bëhet një unifikim apo një mostër me ‘Vulën katrore të paraparë me parametra të Konventës së Apostilës’”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërsa nga MASHT thanë se kjo ministri nuk ka lidhje me vulat apostile.

“Nuk kemi të bëjmë ne me këto vula, ju lutem për këtë çështje t’i drejtoheni Ministrisë së Punëve të Jashtme”, tha për Gazetën Sinjali, Besa Bytyçi, zëdhënëse në këtë ministri.

Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje edhe në adresë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, meqenëse nga kjo ministri ishin pjesëmarrës në takimin kur u bë anëtarësimi zyrtar i Kosovës në Konventën e Hagës (Konventa e Apostiles), sipas së cilës shtetet anëtare njohin dokumentet e huaja publike pa pasur nevojë për një kërkesë për legalizimin e tyre.

Në përgjigjen e tyre, përmes e-mailit, nga kjo ministri thanë se arsyeja pse Austria nuk i njeh vulat apostile të lëshuara nga institucionet e Kosovës është sepse ky shtet në atë kohë ishte kundër anëtarësimit të shtetit të Kosovës në Konventën e Hagës. Andaj, për këto shtete, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme duhet të lëshohen vula verifikuese.

“Vula apostile lëshohet për shtetet anëtare të Konventës së Hagës të cilat nuk kanë  paraqitur/shfaqur ‘kundërshtime’ për aderimin e Republikës së Kosovës në këtë Konventë. Austria ishte një nga shtetet që ka paraqitur/shfaqur ‘kundërshtime’ për aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën e Hagës për Apostile. Prandaj,  për shtetet jo anëtare të Konventës së Hagës për Apostile dhe për shtetet anëtare të Konventës së Hagës por që kanë paraqitur/shfaqur ‘kundërshtime’ lëshohet vula verifikuese ( në këtë grup bëjnë pjesë: Austria, Gjermania, Greqia, Spanja, Serbia, Polonia, Rumania, Sllovakia etj.)”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Shteti i Austrisë nuk po i njeh as patentë shoferët e Kosovës, andaj sipas mërgimtarëve atje, ata nuk kanë mundësi as të marrin një veturë me qira.

Sipas Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri, ky shtet nuk i njeh patentë shoferët derisa Kosova nuk është anëtare në OKB, megjithatë nga kjo ambasadë thanë se janë duke bërë përpjekje për një marrëveshje bilaterale mes dy shteteve.

“Ndërsa njohja  patentë shoferëve të Republikës së Kosovës ndërlidhet me anëtarësimin e shtetit të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Përderisa Kosova nuk është pjesë e këtyre Konventave edhe patentë shoferët e RKS-së në disa Institucione nuk njihen. Megjithatë ne si Ambasadë jemi duke bërë përpjekje që të bëhet një Marrëveshje bilaterale mes Republikës së Kosovës dhe Austrisë për njohjen e patentë shoferëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Kurse, sa i përket mosnjohjes së patentë shoferëve nga Ministria e Punëve të Brendshme thanë se nuk kanë informacion ose konfirmim zyrtar nga organet kompetente të Austrisë dhe se nuk ka një marrëveshje për njohje reciproke të patentë shoferëve mes dy shteteve (Kosovës dhe Austrisë).

Sidoqoftë, nga kjo ministri thonë se do të angazhohen për ndërmarrjen e veprimeve konkrete me autoritetet kompentente, në momentin që do të marrin konfirmimin zyrtar lidhur me këtë çështje.

Për këto dy çështje, Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme, mirëpo edhe pas gjashtë ditëve nuk ka marrë ende përgjigje. /Gazeta Sinjali/