Lojërat Olimpike të vitit 2032 do të zhvillohen në Brisbane të Australisë. Qyteti i largët ishte i vetmi kandidat për pritjen dhe organizimin e Olimpiadës.
Asambleja e Komitetit Olimpike Ndërkombëtar (IOC), e mbledhur në Tokio, që do të presë Lojërat Olimpike duke nisur prej datës 23 korrik (deri 8 gusht), ka zgjedhur Brisbane si vend organizator.
72 vota pro dhe 5 kundër për të vetmen alternativë zyrtare. Hera e tretë që Olimpiada do zhvillohet në Australi, pas Melbourne (1956) dhe Sydney (2000). Në vitin 2024 do të zhvillohen në Paris, ndërsa katër vite më vonë do të organizohen në Los Angeles.
“Ne inkurajojmë projekte që janë të qëndrueshme dhe me përgjegjësi ekonomike, që ofrojnë përvojën më të mirë të mundshme për atletët dhe tifozët, dhe që lënë trashëgimi të forta për komunitetet lokale. Vizioni dhe plani i Lojërave Brisbane 2032 përshtaten me strategjitë afatgjata rajonale dhe kombëtare për zhvillimin social dhe ekonomik të Queensland dhe Australisë, dhe plotësojnë qëllimet e Lëvizjes Olimpike”, ka deklaruar Thomas Bach, presidenti i IOC. /Gazeta Sinjali Sporti/