Po vazhdojnë kontrollet në klubet e natës dhe restorante nga Administrata Tatimore e Kosovës, e cila njofton se si rezultat ka shqiptuar 209 gjoba në vlerë 48 mijë euro.
Sipas njoftimit të ATK-së, këto kontrolle janë bërë në qytete të ndryshme të vendit.
“Veç këtyre, kontrollet gjithashtu kanë adresuar çështje tatimore të tjera, si përmbushja e detyrimeve të tatimit mbi fitimin dhe Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për furnizime të ndryshme dhe shërbime. Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjithsejtë janë 209 gjoba në vlerë 48,875 euro”, thuhet në njoftim.
Administrata Tatimore ka inkurajuar bizneset e këtyre sektorëve të respektojnë ligjet tatimor dhe të bashkëpunojnë për të shmangur shkeljet dhe për të kontribuar në zhvillimin e një ambienti të drejtë dhe konkurrues.
“Autoriteti tatimorë po punon për të forcuar mbikëqyrjen tatimore dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e përmbushjes së detyrimeve tatimore. Kjo nismë është thelbësore në ruajtjen e integritetit të sistemit tatimor dhe në sigurimin e të ardhurave të nevojshme për investimet në shërbime publike dhe zhvillimin e vendit”.