Administrata Tatimore e Kosovës thotë se intensiteti i aktiviteteve është rritur dukshëm për muajin e parë të këtij viti, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas ATK-së, deri me datë 31 janar janë kryer 3, 355 vizita tek bizneset, ku si rezultat i tyre janë lëshuar 130 gjoba për gjetjet e konstatuara nga inspektoret tatimore në terren.
“Po ashtu, nga vizitat e realizuara është konstatuar mall pa origjinë, si dhe mungesë në stoqe në vlerë 1.1 milion euro”, thuhet në kumtesë.
Tutje, theksohet se përveç vizitave, inspektorët tatimorë kanë përfunduar 78 kontrolle tek bizneset, të cilat janë identifikuar nga moduli i analizës së riskut.
“Tatimi shtesë nga këto kontrolle të kryera është 1.6 milion euro, ndërsa kreditimi i zbritur është afro gjysmë milion euro, kurse humbja zbritur e konstatuar me kontroll është 1.6 milion euro”, njofton ATK-ja.
ATK-ja tutje thotë se do të vazhdojë me zbatimin e planeve operative, me qëllim të identifikimit të të gjitha rasteve të shmangieve tatimore.
“Andaj i bëjmë thirrje të gjithë tatimpaguesve që t’i përmbushin obligimet e tyre tatimore, në mënyrë që mos të jenë objekt i ndëshkimeve të parapara me Legjislacionin Tatimor në fuqi”, njofton tutje ATK-ja./Gazeta Sinjali/