Asamblisti i PDK-së në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Getoar Besimi, po pretendon ai është sulmuar sot nga zyrtari i Zyrës së Prokurimit të Komunës, Nezir Rexhepi.
Sipas Besimit, zyrtari i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit e ka sulmuar atë shkaku i një kallëzimi penal që familja e tij ka ngritur ndaj Nezir Rexhepit disa ditë më parë.
“Ju njoftoj se sot jam sulmuar fizikisht nga Zyrtari i Prokurimit të Komunës së Prizrenit z. Nezir Rexhepi, kundër të cilit ditë më parë është paraqitur një Kallëzim Penal për Keqpërdorim të Detyrës Zyrtare nga familjarët e mi”, ka deklaruar Besimi, përmes një shënimi në Facebook.
Besimi thotë se nga sulmi, që sipas tij është iniciuar nga Rexhepi, ka pësuar lëndime të lehta trupore.
“Rasti ka ndodhur sot rreth orës 10:00, afër një parkingu. Për shkak të një padie që e kemi bërë për korrupsion, ai si shenjë hakmarrjeje më është ofruar me ka ofenduar dhe jemi kacafyt”, është shprehur zyrtari i PDK-së nga Prizreni.
Ndërkaq, pretendimet e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskukës, se viktimë e sulmit ka qenë zyrtari i tenderëve, Nezir Rexhepi, Besimi i ka cilësuar “të pavërteta dhe për keqardhje”.
“Është për keqardhje se si Kryetari i Komunës pa pasur asnjë raport zyrtar, jep konstatime të pavërteta se gjoja unë kam sulmuar zyrtarin e prokurimit për çështje që lidhen me tenderët e kësaj komune”, ka deklaruar Besimi, i cili ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj kreut të Komunës së Prizrenit./Gazeta Sinjali/