Asamblisti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ilir Baldedaj, ka vazhduar me akuza ndaj drejtorit në detyrë të gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, Jeronim Susuri, shkruan Gazeta Sinjali.
Ndonëse Susuri paralajmëroi se do të dorëzojë padi kundër Baldedajt, ky i fundit tha për Gazetën Sinjali që drejtori në detyrë i gjimnazit të mos harrojë t’ia bashkëngjis padisë certifikatën e lindjes dhe atë të martesës.
“Absolut, unë i kam fotografitë. Motra e tij dhe nëna e gruas së tij. Ai nuk mund ta mohojë motrën gjenetike dhe nënën e bashkëshortes së tij, me të cilët ka edhe fotografi, kur i kanë shkuar në zyre, kur e ka marrë detyrën si ushtrues detyre i gjimnazit.
Për gjykatë nuk ka telashe, janë pretendimet e veta, janë organet përgjegjëse, le t’i adresohet gjykatës, por le ta çon edhe certifikatën e lindjes edhe certifikatën e martesës, le t’ia bashkëngjet padisë. Ose le të publikon fakte që nuk e ka motër, ose që nuk e ka nënë të bashkëshortes”, tha Baldedaj për Gazetën Sinjali.
Madje, asamblisti i AAK-së tha për Gazetën Sinjali se Susuri jo vetëm që punësoi motrën dhe vjehrrën e tij, por edhe në pozitën e drejtorit vetë ai po qëndron kundërligjshëm.
Sipas tij, Susuri e ka shkelë Ligjin mbi Arsimin, në të cilën përkufizohet se ushtruesi i detyrës së drejtorit nuk mund të qëndrojë më shumë se gjashtë muaj në këtë pozitë, ndërkaq thotë se Jeronim Susuri ka gati 1 vit që është u.d. të drejtorit të gjimnazit “Gjon Buzuku”.
“Në fakt edhe si ushtrues detyre është i kundërligjshëm ai. Ligji mbi Arsimin e thotë tre plus tre mund të qëndrojë ushtrues detyre, jo më shumë se gjashtë muaj. Ai është mbi gjashtë muaj, gati që 1 vit”, tha ai për Gazetën Sinjali.
Baldedaj vazhdon me akuza ndaj Susurit, duke thënë se për të arritur punësimin e vjehrrës së tij si mësuese klasore, ai më parë e kishte “rehatuar” shokun e tij, Miran Feratin, në pozitën e drejtorit të shkollës “Haziz Tola”.
Asamblisti i AAK-së habitet se si motra e Jeronim Susurit është pranuar si mësimdhënëse në shkollën “Heronjtë e Lumës”, derisa në konkursin e njëjtë në shkollën “Shtjefën Gjeçovi” nuk arriti t’i marrë pikët e nevojshme për pranim, ndonëse thotë se testi ka qenë i njëjtë./Gazeta Sinjali/