image Asamblisti i AAK-së akuzon Komunën e Prizrenit se rrënoi objektin e përuruar dy vjet më parë

Financa

Asamblisti i AAK-së akuzon Komunën e Prizrenit se rrënoi objektin e përuruar dy vjet më parë

news image

Më 4 dhjetor të vitit 2018 u përurua Shërbimi Pedagogjik-Psikologjik i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prizren, shkruan Gazeta Sinjali.

Por, ky projekt i cili Komunës i kushtoi 30 mijë euro, nuk qëndroi mbi tokë më shumë se dy vjet.

Sipas asamblistit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ilir Baldedaj, Komuna e Prizren ka larguar shiritin dhe ka vendosur për rrënimin e tij.

30 mijë euro investim u bënë rrafsh me tokë për 2 vjet në Prizren, për shkak të, siç thotë Baldedaj, tenderomanisë.

“Kur planifikimi është i dobët, nuk e dinë se çfarë bëjnë vetë sa për të thënë bëjnë diçka, e në fakt nuk bëjnë asgjë. Ky është trupi i një kryetari të dështuar”, tha Baldedaj për Gazetën Sinjali.

Gazeta Sinjali ka provuar të kontaktojë me drejtoreshën e Arsimit në këtë Komunë, Xhemile Thaçi – Vezgishi dhe me kryetarin e kësaj komune, Mytaher Haskuka, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm.

Ndërkaq, nënkryetari i kësaj komune, Visar Shehu, tha se nuk ka informacion, por premtoi se do të informojë gazetën për çdo informatë që merr për këtë rast./Gazeta Sinjali/

4 dhjetor 2018, ceremonia e përurimit të Shërbimit Pedagogjik-Psikologjik në Prizren
Dhjetor 2020, Shërbimi Pedagogjik-psikologjik