Yjet e muzikës shqiptare po vazhdojnë të frymëzojnë artistët serbë.
Kësisoj, së fundmi kënga “Gajde”, të cilën e sollën në bashkëpunim dyshja e famshme, Dhurata Dora e Elvana Gjata është ripërpunuar nga këngëtarja serbo-malazeze, Ksenia Knezevic.
Artistja, e cila e famshme u bë nga të qenit pjesë e grupit “Hurricane”, e ka publikuar videoklipin e këngës, të titulluar “Hir”.
Nuk bëhet fjalë për një kopjim, pasi që kënga e publikuar në kanalin zyrtar të Ksenias në YouTube, përmban të gjitha të drejtat autoriale të blera nga producentët kosovarë.
Kjo nuk është hera e parë që një këngë e artistëve shqiptarë, ripërpunohet dhe bëhet hit në trojet serbo folëse.
Muaj më parë, këngëtarja mjaft e kërkuar e momentit në Serbi, Tea Tairovic, kishte publikuar këngën “Dubai”, e cila ishte ripërpunim i këngës “Leje” nga Ronela Hajati dhe Klement.
“Dubai” ishte mes hiteve më të dëgjuara në Serbi dhe ka arritur të grumbullojë afro 15 milionë klikime në YouTube, ndonëse u publikua bashkë me disa këngë të tjera si pjesë e albumit “Balkanija” të Tairovicit.