Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti mbrëmë ka publikuar listën e subvencioneve për 56 personat që janë mbështetur financiarisht për të realizuar projekte nga shtëpia, me qëllim të argëtimit të qytetarëve në këtë kohë pandemie.
Lidhur me këtë ka reaguar këngëtari Art Abazi, i cili tha se është kundër pagesave të tilla, pasi sipas tij më mirë do të ishte të kërkohen mjete për fëmijër që nuk po mund ta ndjekin mësimin online për shkak të mungesës së kushteve, shkruan Gazeta Sinjali.
“Me gjithë respektin për artistët që janë të përfshirë në këtë listë, ky subvencion lirisht mund të quhet i turpshëm. Pse? Sepse shumica prej jush pothuajse konstant keni qenë të thirrur, angazhuar e të paguar nga Komuna jonë andaj për hir të këtij fakti është dashtë me u solidarizu me situatën në të cilën ndodhemi. Përndryshe të kërkohen mjete për fëmijët që e kanë të pamundur ndjekjen e mësimit online për shkak të mungesës së një laptopi e në anën tjetër të ndahen 1000 euro për katër receta kuzhine? Paradoks ma të neveritshëm nuk pasna pa”, thuhet në reagimin e tij të postuar në Instagram.
Më tej, Abazi shprehu gatishmërinë që vullnetarisht të performojë falas, duke shtuar se ka nevojë për ndihmën e komunës të cilën thotë se nuk e ka pasur kurrë.
“Më falni. Me këtë rast, shpreh gatishmërinë time për një live performancë në kushte shtëpie pa asnjë kompenzim financiar pavarësisht që edhe une si artist modest kom nevojë për përkrahje ka Komuna jonë, sidomos kur një përkrahje e tillë ka mungu deri sot”, ka përfunduar ai.
Ndërkaq, aktori Spahiu me anë të një reagimi të publikuar në rrjetet sociale tha se kostoja e organizimit të projektit për të cilin është subvencionuar ‘është shumë më e lartë se vlera e pranuar nga Komuna’. /GazetaSinjali/