Ambienti politik në Kosovë para fillimit të fushatës zgjedhore, sipas analistëve politikë, është i qetë dhe në rrethana normale për organizimin dhe zhvillimin e procesit zgjedhor. Sipas tyre, te partitë politike që pritet të garojnë në zgjedhje, deri më thash nuk është parë ndonjë karakteristikë e veçantë nga e kaluara.
Por, meqë Kosova funksionon mbi bazën e sistemit proporcional, krijimi i koalicioneve, qoftë edhe pas 6 tetorit, mund të jetë përcaktues për formimin e qeverisë së ardhshme.
Analisti Imer Mushkolaj, tha për REL se asnjëherë më parë gjatë proceseve zgjedhore, nuk ka pasur më shumë paqartësi se kah do të orientohet votuesi dhe cili do të jetë përcaktimi i tyre për partitë dhe kandidatët që do t’i mbështesin për të qeverisur vendin.
“Asnjëherë më parë nuk kemi pasur kaq blloqe politike si tash dhe kaq paqartësi se cila nga këto blloqe mund të dalë subjekti i parë, natyrisht duke u bazuar gjithmonë në sondazhet e bëra edhe pse ende nuk ka nisur fushata zgjedhore. Ajo çka e dallon këtë proces zgjedhor është kjo paqartësia që ende askush nuk mund ta di se kush mund të dalë subjekti i parë. Në proceset e kaluar, duke ditur edhe koalicionet që bëheshin, dihej pak a shumë se nga do të shkojë vota e qytetarëve”, tha Mushkolaj.
Kurse, politologu Ramush Tahiri, mendon se karakteristikë apo e veçanta e këtij procesi zgjedhor është se partitë politike po duan ta ruajnë subjektivitetin e vetë duke garuar të vetme në zgjedhje.
“Partitë politike po tentojnë që ta ruajnë subjektivitetin e vetë dhe të bëjnë garën zgjedhore të vetme dhe mandej të shkojnë në koalicione paszgjedhore. Nëse kjo mbetet, atëherë nuk do të kishim dy blloqe kryesore të cilat kundërshtohen. E nëse nuk aplikohet kjo praktikë, pasi që nuk dihet deri në momentin e fundit si do të shkojë, atëherë nuk mund të them se kemi ndonjë veçori apo ndonjë specifikë ndryshe me proceset e kaluara”, tha Tahiri.
Ndërkaq, analisti Mushkolaj konsideron se karakteristikë e këtyre zgjedhjeve do të jetë mënyra se si subjektet politike do të flasin për dialogun me Serbinë dhe taksën doganore që Kosova ka vendosur për importet nga Serbia.
“Ajo që do të jetë e përbashkët edhe e fushatës zgjedhore besoj unë, do të jenë premtimet në kuptimin se si do të fokusohen te taksa dhe te dialogu me Serbinë dhe fatkeqësisht edhe kësaj here do të mungojnë projeksionet konkrete se si do të mund të zgjidhen problemet thelbësore të qytetarëve, që kanë të bëjnë kryesisht me zhvillimin e ekonomik dhe vendet e reja të punës”, tha Mushkolaj.
Fushata zgjedhore, pritet të fillojë më 25 shtator dhe të zgjasë dhjetë ditë. Por, partitë dhe koalicionet qysh tash kanë nisur aktivitetet zgjedhore si dhe kanë dal me emrat e kandidatëve të tyre për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës ka nominuar liderin e saj, Kadri Veselin për pozitën e kryeministrit. Koalicioni ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate ka nominuar Ramush Haradinajn për kryeministër. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, për kreun e qeverisë së ardhshme ka nominuar Vjosa Osmanin.
Ndonëse jo me një nominim në formën zyrtare, edhe Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar liderin e saj, Albin Kurti për kryeministër, sikurse që një synim të tillë ka edhe koalicioni ndërmjet Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re, që mbështesin për pozitën e kryeministrit, Fatmir Limajn.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme u bën të domosdoshme pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, për shkak të ftesës së që kishte marrë nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte. Pas dorëheqjes së Haradinajt, Kuvendi i Kosovës miratoi mocionin për shpërndarjen e Kuvendit, kurse presidenti Hashim Thaçi shpalli 6 tetorin, datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.