image Arsyet e PDK-së pse nuk e përkrahin Vjosa Osmanin për presidente

Politikë

Arsyet e PDK-së pse nuk e përkrahin Vjosa Osmanin për presidente

news image

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka thënë se partia e tij nuk është përjashtuese, por kur është pyetje te çështja e presidentit nuk do të bëjë kompromise për kandidatët që nuk përfaqësojnë unitetin politik.

PDK-ja edhe më herët ka thënë se nuk do ta votojë Vjosa Osmanin për presidente, të cilën e ka cilësuar si figurë përçarëse e jo unifikuese.

“Qëndrimi jonë tashmë është i qartë, ne jemi parti opozitare dhe do jemi aktivë me të gjithë dimensionin social, ekonomik e parlamentar, do jemi kujdestarë në raport me institucionet e shtetit. Do të bëjmë të mundurën në mënyrën më demokratike që t’i ruajmë institucionet vitale dhe pozicionin e shtetit të Kosovës në raport me gjitha ato zhvillime të cilat e presin dhe nuk janë të lehta dhe të pakta, pra do të jemi në shërbim të qytetarit, dhe të politikës e cila e mbron Kushtetutën dhe vendin tonë”, tha Shala.

“Ne kemi pasur dhe kemi komunikim me të gjitha subjektet politike, asnjëherë nuk kemi qenë parti përjashtuese, asnjëherë nuk kemi qenë parti të cilat kemi diferencuar apo ndarë subjektet politike në Kosovë, megjithatë ne jemi partia e madhe opozitare dhe presim një bashkëpunim korrekt por varet nga zhvillimi i temave dhe pozicionet që do t’i marrin subjektet tjera opozitare siç janë ato pas nesh”.

Arsyet kryesore sipas tij që kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, nuk e ka përkrahjen nga kjo parti është mungesa e personalitetit të unitetit që tek ajo, sipas tyre, nuk e kanë parë.

“PDK dhe strukturat e saj, Këshilli Drejtues dhe Kryesia kanë marrë qëndrim që nuk do të ketë votë për znj.Osmani për kandidate si Presidente. Arsyeja e parë është që në asnjë moment të jetës së saj politike dhe legale nuk ka reflektuar si person i unitetit, pra pozicioni i Presidentit punën e parë, dhe momentin e parë e karakteristikën e parë si pozicion duhet ta ketë si personalitet që reflekton unitet dhe gjithëpërfshirje në kuptimin e udhëheqjes. Veti këto që nuk i gjejmë tek ajo, që nga hyrja në skenën politike e deri sot në asnjë rast dhe moment nuk e kemi parë personalitetin e unitetit tek ajo. Personaliteti i Presidentit duhet të jetë unifikues, intelektual me kulturë dhe vizion të shtetit, i cili nuk e ka dëmtuar asnjëherë pozicionin nacional dhe kombëtar, një figurë e pastër kombëtare dhe intelektuale”, tha Shala për EO.

/GazetaSinjali/