Me qëllim të forcimit të kapaciteteve të vendit në luftën kundër COVID-19, sot ka arritur në Kosovë një ekip i ekspertëve nga Gjermania, shkruan Gazeta Sinjali.
Misioni dy javor (21 shtator – 03 tetor 2020), është iniciuar dhe organizuar nga instituti gjerman “Robert Koch” në bashkëpunim të ngushtë me OBSH-në dhe Rrjetin Global të Alarmit dhe Reagimit ndaj Shpërthimit (GOARN).
Kështu ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook.
“Sa i përket menaxhimit klinik, qëllimi i misionit është të sigurojë mbështetje dhe këshilla për Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë dhe punëtorët lokalë të kujdesit shëndetësor lidhur me menaxhimin klinik të pacientëve me COVID-19, si dhe për të zbatuar masat e parandalimit dhe kontrollit të infeksionit (IPC). Për të arritur këtë, ekspertët mjekësorë do të ofrojnë mbështetje për personelin klinik dhe trajnim lidhur me COVID-19 në vendin e punës”, thuhet në njoftimin e institutit. /Gazeta Sinjali/