image Arrestohet zyrtarja e Komunës së Prishtinës, dyshohet se përfitoi gati 5 mijë euro duke mashtruar

Politikë

Keqpërdorim/ Arrestohet zyrtarja e Komunës së Prishtinës, dyshohet se përfitoi gati 5 mijë euro duke mashtruar

news image

Policia e Kosovës ka ndërmarrë disa veprime hetimore për keqpërdorime në Komunën e Prishtinës.

Gazeta Sinjali mëson nga burime të sigurta brenda Prokurorisë se sot Policia e Kosovës e ka arrestuar zyrtaren e pagesave të tatimit në pronë në Komunën e Prishtinës, Nerxhivane Demollin.

Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë së Kosovës, pas hetimeve disa javore, ka ardhur në përfundim se Nerxhivane Demolli e ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke përfituar 4 mijë e 960 euro, raporton Gazeta Sinjali.

Ajo dyshohet se që nga marsi ka lëshuar vërtetime për regjistrimin e automjeteve pa dëshminë se personat në fjalë janë të liruar nga kjo taksë prej 10 eurosh.

Policia e Kosovës ka siguruar dëshmi, duke intervistuar edhe dëshmitarë.

Pas intervistimit të të dyshuarës në prezencën e avokatit të saj, në konsultim me prokurorin kujdestar, Javorka Prlinceviq, ajo është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Lajmi është konfirmuar edhe përmes një komunikate nga Policia e Kosovës.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /Gazeta Sinjali/