Një shofer i autobusit është arrestuar në Tiranë, pasi që kishte vozitur në gjendje të dehur.
Ai është ndaluar pasi fillimisht kishte shkelur semaforin, duke u futur me të kuqe, ndërsa pas testit të alkoolit ka rezultuar në gjendje të dehur në masën 0.69 mg/l, rrezik potencial që për nga kapaciteti mbartës i autobusit, mund të shkaktonte tragjedi në rrugë, nëse përfshihej në ngjarje rrugore.
Po ashtu, policia bën të ditur se përgjatë 48 orëve të fundit, rrugorët e kryeqytetit kanë konstatuar dhe kapur në kushtet e flagrancës 23 shtetas, nga të cilët 7 në gjendje të dehur, 15 të pa pajisur me leje drejtimi dhe 1 për falsifikim të dokumenteve zyrtare.
Janë pezulluar 47 leje drejtimi, nga të cilat: 16 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 22 për shpejtësi mbi normat e lejuara që varionte nga 155km/h deri në 175 km/h, 2 për mos bindje ndaj shenjës së ndalimit, 5 për largim nga vendi i aksidentit dhe 2 për shkelje të tjera./Gazeta Sinjali/