Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së, kanë arrestuar një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” dhe “kanosje”.
IPK kishte pranuar informacione për këtë rast sot nga Policia e Kosovës dhe “menjëherë pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur thirrjes duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
Pas këtyre veprimeve hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, njofton IPK, transmeton Gazeta Sinjali.
Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.
Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast. /Gazeta Sinjali/