Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për fajde në Gjilan, shkruan Gazeta Sinjali.
Kështu ka njoftuar policia, duke theksuar se pas një pune operative/taktike dhe hetimore ka arritur që të sigurojë dëshmi, të cilat e pasqyrojnë se personi i dyshuar është i përfshirë në veprën penale ‘fajde’.
Për vlerën e parave të cilat viktima i kishte pranuar nga i dyshuari, në vlerë prej 100 mijë euro, sipas marrëveshjes të dyshuarit do t’i ktheheshin mjetet financiare në vlerë prej 130 mijë euro ose 30% me interes/kamatë, në intervalin kohor prej dy vjetësh, ku shuma e fitimit jo-proporcional është 30 mijë euro.
“Në kuadër të veprimeve hetimore, sot sipas Urdhëresës së Gjykatës kompetente, është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit. Gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë e dyshuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
I dyshuari është shoqëruar në polici dhe pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit të lëndës është ndaluar për 48 orë./Gazeta Sinjali/