Një person në Gjakovë është arrestuar pasi që i njëjti dyshohet se i ka vënë flakën zonës pyjore në fshatin Sopot, shkruan Gazeta Sinjali.
Drejtoria e Policisë në Gjakovë bën të ditur që P.C., 79-vjeçar, fillimisht i ka vënë flakën disa shkurreve në pronën e tij në fshatin Sopot, e më pas zjarri ishte përhapur me shpejtësi dhe në shkurre të tjera në një fushë të lirë, e më pas në një zonë pyjore.
Në vendin e ngjarjes ka dalë patrulla e policisë dhe zjarrfikësit të cilët kanë arritur të lokalizojnë zjarrin.
Policia nga mbledhja e informatave dhe provave ka arritur të identifikojë të dyshuarin, i cili fillimisht ka refuzuar dhe ka hezituar të pranojë autorësinë si zjarrvënës, por pas ofrimit të dëshmive ka pranuar të ketë ndezur zjarrin.
“Datë 08.8.2021 rreth orës 16:30 Stacioni policor në Gjakovë ka pranuar informatë për zjarr në zhvillim në fshatin Sopot, KK-e Gjakovë. Patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes, si dhe është njoftuar njësia e zjarrfikësve të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin”, thuhet në njoftimin e policisë./Gazeta Sinjali/