Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se është arrestuar një person i dyshuar për grabitje të armatosur në një hotel në Graçanicë dhe një tjetër person është shpallur në kërkim, përcjellë Gazeta Sinjali.
I arrestuari është H.B., 22 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në këtë grabitje të armatosur dhe të maskuar, ku kishin arritur që t`i grabisin mbi tre mijë euro.
“Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës ka intensifikuar ndërmarrjen e masave policore, operative e hetimore për parandalimin dhe zbulimin e veprave penale si dhe goditjen e individëve dhe grupeve kriminale. Fokus të veçantë ka marrë organizimi i punës policore për zbardhjen e veprave kriminale të grabitjes, identifikimi si dhe arrestimi i të dyshuarve të implikuar në veprat e tilla. Progresi i hetimit policor për këto raste ka rezultuar me ndërmarrjen e dy operacioneve të bastisjes me ç’ rast, policia ka arrestuar të dyshuarin; H. B, mashkull, 22 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti ka qenë i përfshirë në rastin e grabitjes së armatosur të ndodhur më datë 06.11.2020 rreth orës 18:30, ku dy të dyshuar të armatosur dhe të maskuar kishin grabitur mbi tre mijë euro para të gatshme nga një biznes hotelier në Graçanicë”, njofton policia.
Ndërkohë që policia ka identifikuar edhe të dyshuarin e dytë, A.B, mashkull, 25 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili aktualisht është në arrati dhe të njëjtin e ka shpallur në kërkim nën dyshimin e bazuar për përfshirje në rastin në fjalë.
Të dyshuarin e arrestuar policia e ka proceduar para Gjykatës dhe ndaj të njëjtit është shqiptuar masa e vazhdimit të paraburgimit prej 30 ditësh, përderisa vazhdon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave që karakterizojnë rastin.