Një person është arrestuar nga policia sot në Gjakovë nën dyshimin e përfshirjes në veprën penale të fajdes.
I dyshuari: V.M., viti i lindjes 1967, dyshohet se në vitin 2016 i ka ofruar një shumë prej 3.500 euro me fajde një qytetari. Ankuesi deklaron se ka paguar shumën prej 4.200 euro, por nuk ka arritur ta paguajë shumën tjetër. I dyshuari, së fundmi ka rritur kërkesën duke kërkuar 38.000 mijë (tridhjetë e tetë mijë) euro nga ankuesi.
Njësiti Rajonal i Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Gjakovë, me sigurim të urdhëresës nga Gjykata Themelore Gjakovë ka zbatuar masa të fshehta të hetimit me qëllim të grumbullimit të fakteve lidhur me këtë rast.
Sot, më 02.10.2019, i dyshuari është arrestuar në flagrancë pak pasi ka pranuar shumën prej 4000 euro nga ankuesi. I dyshuari është kontrolluar në prani të avokatit mbrojtës dhe tek i njëjti janë gjetur 4000 euro që janë përdor për simulim të veprës penale.
Për rezultatin e hetimeve është njoftuar prokurori i Prokurorisë Themelore Gjakovë, me aktvendim të të cilit të dyshuarit, pasi intervistimit, i caktohet masa e ndalimit për 48 orë. /Gazeta Sinjali/