Një 22-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle është arrestuar këtë të mërkurë në Shëngjin, me qëllim ekstradimin drejt Spanjës.
Policia e Shtetit bën të ditur se operacioni i koduar “Fast” u finalizua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të vijimit të aksioneve për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet policore kanë siguruar informacione se një shtetas i kërkuar ndërkombëtarisht fshihej në qarkun e Lezhës. Pas shkëmbimit në kohë reale të të dhënave me autoritetet spanjolle përmes rrjetit ENFAST, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i tij në zonën e Shëngjinit.
Në pranga ka rënë shtetasi O.P., 22 vjeç, lindur në Lezhë.
Autoritetet bëjnë të ditur se ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madridi, pasi Gjykata e Ibizës në Spanjë kishte lëshuar ndaj tij urdhër-arrest më 18 maj 2026, për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”.
Ndërkohë, vijojnë procedurat ligjore për ekstradimin e 22-vjeçarit drejt Spanjës, ku ai do të përballet me drejtësinë për akuzat e ngritura ndaj tij.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!