Policia e shtetit shqiptar njoftoi se është arrestuar në Holandë Eljo Bitri, i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë” por edhe nga autoritetet belge për vrasje. Policia tha se 35-vjeçari Bitri qarkullonte me armë zjarri me silenciator dhe përdorte dokument me identitet tjetër.
“Vihet në pranga Eljo (Ervis) Bitri alias Bledar Debrova, 35 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, në kuadër të operacionit “Golden bullet”. 35-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, në kuadër të operacionit “Golden bullet”, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Gjithashtu, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe nga Belgjika, pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Bruksel, Belgjikë, më datë 31.05.2022, ka lëshuar ndaj këtij shtetasi urdhër arrestin për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, parashikuar nga Kodi Penal i Belgjikës (maksimumi i dënimit burgim i përjetshëm)”, tha policia.
Bitri figuron në dosjen me dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili e implikon në vrasjen e vëllait të Talo Çelës, Bujar Çela, më 17 shtator të vitit 2020 në Elbasan. “Për vendndodhjen se ku e pinte kafen Bujari më kishte informuar Eljo Bitri. Eljon e kisha si informator por në këtë ngjarje nuk e dinte që do vritej atë ditë Bujari…”, citohet Dumani në dosjen hetimore të prokurorisë.
Detaje nga raportimi
Në dosjen “Plumbi i artë”, Bitri akuzohet për disa vepra penale dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.
Akuzat e SPAK për Eljo Bitrin
Eljo (Ervis) Bitri, i biri i Nazmi dhe i Minushe, i datëlindjes 09.02.1987 lindur dhe banues në Gostimë, Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprave penale:
“Shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të shtetasit Mustafa Subashi (ngjarje e ndodhur në Durrës në datën 29.01.2020) dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 152 dhe 278/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
“Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve, armeve shpërthyese dhe i municionit”, në dëm të viktimave Dorjan Shkoza e Anxhelo Avdia (ngjarje e ndodhur në datën 02.03.2020) të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit) dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 79/dh, 278/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal;
“Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” të parashikuara nga nenet 78/2, 278/1, 28/4, 333/a e 334 të Kodit Penal (vrasja në dëm të viktimës Emiljano Ramazani më datë 20 Korrik 2020 në lagjje “28 Nëntori”, Elbasan).
Shkatërrim i pronës me eksploziv” ndaj banesës së shtetasit Talo Çela (ngjarje e ndodhur në datën 05.11.2020) dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 152 dhe 278/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
“Dhuna në familje” në dëm të shtetases Blerta Bengasi (Ruçi), kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 130/a/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
“Vjedhje me dhunë”, në dëm të shtetasit Hamdi Sharka (ndodhur në fshatin Polizhan – Berat), kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 139, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Sokol Sanxhaktari, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a/2, 334 të Kodit Penal.