image Arrestohet Faton Brahimi, i dyshuari për vrasjen e kushëririt të tij në Novosellë të Pejës

Siguri

Arrestohet Faton Brahimi, i dyshuari për vrasjen e kushëririt të tij në Novosellë të Pejës

news image

Policia e Kosovës ka arritur që të arrestojë Faton Brahimin, i dyshuar për vrasjen e kushëririt të tij, Bashkim Brahimit, më 24 prilli të këtij viti, në fshatin Novosellë të Pejës, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili tha se i dyshuari u prangos afër vendit të krimit.

“Po, është arrestuar sonte rreth orës 22:00. Arrestimi i tij është bërë në zonën ku ka ndodhur rasti”, tha Gashi.

Brahimi ndodhej në arrati që nga dita tragjike, ndërsa ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës një ditë më pas, më 25 prill.

I dyshuari (Fatoni) dhe viktima (Bashkimi) ishin familjarë mes vete, djem të axhës dhe dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive pronësore.

Ditën kur ndodhi vrasja, policia ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku ka gjetur dhe ka konfiskuar: Një mitraloz, një pistoletë, pajisje për pastrim të armës, 890 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe pesë predha, po ashtu kalibra të ndryshëm.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/