Policia ka arrestuar gruan me inicialet S.T., 28 vjeçare, e cila dyshohet se ka kanosur me armë zjarri hoxhën Sead Bejta nga fshati Zhabar i komunës së Mitrovicës.
Ky rast është iniciuar nga policia si ‘kanosje’ dhe ‘përdorim i armës’, ndërsa në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë.
“Sipas deklarimit të viktimës, bëhet e ditur se ai ishte kanosur nga e dyshuara femër, e cila në kanosje kishte përdorur edhe armën, ku në vendin e ngjarjes nga hetuesit policorë është gjetur dhe është konfiskuar një gëzhojë”, njofton policia, transmeton Gazeta Sinjali.
Ndërsa nga veprimet tjera hetimore më vonë ka rezultuar që të identifikohet dhe të arrestohet e dyshuara S. T., 28 vjeçare, nga e cila është sekuestruar një armë e llojit pistoletë e cila dyshohet të jetë përdorur në veprën penale.
Pas procedurave intervistuese, me urdhër të prokurorit të rastit, të dyshuarës i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.
Ndërsa, mediat raportuan se 28 vjeçarja kanosi me armë hoxhën pasi ky i fundit refuzoi të dilte me të. Sipas këtyre raportimeve, hoxha dhe 28 vjeçarja janë në lidhje. /Gazeta Sinjali/